Takim në “Tirana International Hotel”, për eventin e nënshkrimit të “Thirrjes për Veprim”

                             PREFEKTI I QARKUT KUKËS

 

Takim në “Tirana International Hotel”, për eventin e nënshkrimit të "Thirrjes për Veprim"

Nën kujdesin e Ministrit të Brendshëm, Z. Fatmir Xhafaj, në datë 29.06.2018, ora 10:00, tek Tirana International Hotel, u zhvillua  eventi për nënshkrimin e "Thirrjes për Veprim" kundër punës së detyruar, skllavërisë moderne dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Në këtë takim nga ana e Institucionit të Prefektit të Qarkut Kukës merrte pjesë edhe Koordinatori i Përgjithshëm Z. Abdulla Domi i cili në seancën e diskutimeve foli mbi punën e bërë nga ana e KRAT dhe TTAT Kukës në lidhje me emigrimin e paligjshëm të fëmijëve të shoqëruar apo jo nga prindërit, sidomos në Angli si dhe masat e marra për rehabilitimin e tyre dhe për të minimizuar këtë fenomen i cili në fakt ka një rënje në këtë periudhë.
Fillimi i kësaj nisme daton me 19 shtator 2017,datë kur në mbledhjen e Asamblesë së  Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri i Britanisë lancoi “Thirrjen për veprim” për t'i dhënë fund punës së detyruar, skllavërisë moderne dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria britanike e ka identifikuar skllavërinë moderne si një çështje kryesore të të drejtave të njeriut dhe trajtimi i kësaj problematike është një përparësi personale për Kryeministrin dhe një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Britanisë së Madhe.
“Thirrja për veprim” është përkrahur nga 51 shtete dhe është një dokument politik i nivelit të lartë që bën bashkë angazhimet kryesore që vendet kanë bërë përmes proceseve të ndryshme ndërkombëtare, si dhe është në sintoni të plotë me një nga synimet kryesore të Agjendës 2030 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, sikurse është zhdukja e skllavërisë moderne, punës së detyruar, trafikimit të qenieve njerëzore, dhe formave më të këqija të punës së fëmijëve.