Monitorim dhe inspektim i aksit rrugor Kukës-Vasije, për masat e marra në funksion të përballimit të situatës së krijuar nga reshjet atmosferike.

Sot Prefekti i Qarkut z. Zenel Kuçana së bashku me nje pjesë të Administratës monitoroi dhe inspektoi masat e marra në funksion të përballimit të situatës së krijuar nga reshjet e shumta të këtyre ditëve.
U inspektua aksi rrugor Kukës - Vasie, ku aktualisht ishte i qarkullueshëm në të dy senset e lëvizjes. Si pasojë e shirave të rëna dhe ngricave, segmenti Resk-Bushtricë kishte problematika si pasojë e rënies së degëve të pemëve përgjatë aksit rrugor. Nga kompania sipërmarrëse po punohej për pastrimin e këtij aksi rrugor.
Në kuadër të këtyre masave u ndoq nga afër veprimtaria e grupeve të punës të OSHEE- së të cilët po punonin për vënien në punë të rrjetit elektrik, për furnizimin me energji elektrike të kësaj zone.
Prefekti i Qarkut pati një takim me Administratorin e Njësisë Administrative Bushtricë dhe disa kryetarë fshatrash, ku u informua nga afër me problemet e krijuara këto ditë.
Prefekti i Qarkut njëkohësisht inspektoi dhe shkollën e mesme të bashkuar, në Njësinë Administrative Bushtricë, me rastin e rifillimit të proçesit mësimor pas pushimeve. Në takim Prefekti falenderoi Drejtorin e shkollës dhe mësuesit për punën e bërë në këtë shkollë si dhe u garantoi mbështetje maksimale në funksion të realizimit të misionit të tyre.
Prefekti i Qarkut në këtë takim kërkoi impenjim maksimal nga gjithë mësuesit për të pasur mësimdhënie sa më cilësore dhe efektive, po ashtu kërkoj zbatimin e protokollit të Ministrisë Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për parandalimin e infektimit me covid -19 etj.