Përshëndetja e Prefektit të Qarkut Kukës në ceremoninë festive të 60- vjetorit të krijimit të gjimnazit “Asim Vokshi” në Bajram Curri:
Të nderuar gjimnazistë dhe ish-gjimnazistë të 60-viteve që jeni ulur në bankat e këtij gjimnazi, kur them gjimnazistë them me plot gojën:poet, shkrimtar, artist, këngëtar, kërcimtar, sportistë, ushtarak, sipërmarrës, e plot profesione të tjera, që bijët dhe bijat e Tropojës kanë ditur të përformojnë me mjeshtri deri në majat më të larta të çdo fushe.

Më lejoni që në emer të detyrës së Prefektit të Qarkut Kukës, të Ministres së Arsimit, Sportit dhe të Rinisë zj. Besa Shahini dhe të Këshillit të Ministrave të përgëzoj dhe të falenderoj organizatorët e kësaj ceremonie festive të 60- Vjetorit të krijimit të gjimnazit “Asim Vokshi”, të ju falenderoj të gjithë ju pjesmarrës në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Të nderuar mësues e drejtor që kontribuat në vite në arsimimin e brezave të tërë të këtij gjimnazi dhe në gjithë shkollat e rrethit të Tropojës, mirënjohje, nder dhe respekt të pakufijshëm për të gjithë ju, për punën tuaj plot veshtirësi , privacione e sakrifica.
Qëllimet idealiste, dëshira e mire, pasioni e virtyti mbizotëruan në punën tuaj, si pishtarë dhe rrezatues të dijes tek të gjithë brezat që ju keni kaluar.
Mirënjohje, nder dhe respekt për të gjithë ata mësues e mësuese që erdhën nga rrethet e tjera të shqipërisë dhe kontribuan në fushën e dijes e arsimimit në trevën e Tropojës.
Të gjitha luftrat që ka bërë njerëzimi në shekuj, janë të vogla e kalimtare kur krahasohen me atë më të madhen: Luften për dijen. Lufta për dijen është edhe më e rëndë, pra edhe më madhështore. Alfabeti shqip kullon gjak nga A-ja tek ZH-ja.”

Kur nëpër universitetet shqiptare ishin disa studentë që shkëlqenin dhe pak kush e dinte që diku në një skaj të veriut të Shqipërisë, buzë lumit më të bukur “Valbona” dhe jo vetëm të Alpeve Shqiptare, ata studentë pohonin me krenari se kishin qenë gjimnazistët e “Asim Vokshit”. Është një histori që përsëritet për 60 vite me radhë ku breza të tërë studentësh shquheshin nëpër universitetet shqiptare ku nuk besohet që ka fushë të jetës që të mos gjesh modele që udhëtimin drejt suksesit e kanë nisur pikërisht te ky gjimnaz.
Mbase atyre do u duhej të përballeshin me pyetjet e shumta ku më e vështira mbetej ajo se si është e mundur që një vend aq i vogel si Tropoja të kishte kaq shumë ngadhënjimtarë.
Me kalimin e viteve nuk ishin vetëm auditoret universitare që percaktonin skajet e suksesit të tyre. Mbetet terësisht e pamundur gjetja e një fushe të jetës që të mos gjenden gjurmët e gjimnazistëve të “farkëtuar” me virtytet më të mira, përfaqësuesit e denjë të krahinës arsimdashëse të Tropojës.
Nuk mund të ndalem me emra per të gjithë ato personalitete të të gjitha fushave që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle , se do të duhej shumë kohë, por do të them dhe do ta pohoj me zë të lartë se populli i kësaj treve e ka dashuruar dijen dhe e ka patur bashkëudhtar besnik në çdo fushë të jetës, në çdo kohë e rrethanë.

Pas viteve 90 nuk do të ishte më vetëm sShqipëria që do të njihej me talentet e jashtëzakonshëm të gjimnazit “Asim Vokshi”.Mirënjohje përjetë të gjithë atyre mësueseve dhe mësuesve që u shndërruan në pishtar të dijes dhe ngjizjes së vlerave më të mira, pa kontributin e të cilëve gjimnazi “Asim Vokshi” nuk do të ishte ky që është sot.
Dhe historia e sukseseve vazhdon: Gjimnazi “Asim Vokshi”për vitet 2015-2018 renditet i shtati në dhjetë shkollat më të mira në shkallë kombëtare për arritjet në provimet e maturës në analizën e maturës Shtetërore dhe në Raportin Publik të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky 60-vjetor mbase duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë ne duke evokuar historinë, për të nxjerrë mësimet e nevojshme dhe besoj që gjithësecili gjimnazist do ndjehet edhe më krenar edhe më i motivuar në përballjen me kërkesat e kohës.
Jam i bindur që ashtu si brezat e mëparshëm të tyre edhe këta do të thonë me krenari që janë gjimnazistët e “Asim Vokshit” dhe kjo traditë nuk do të ketë të ndalur ashtu si flladi i bjeshkëve të Tropojës.
Ju faleminderit !