Më datë 16.10.2019 në Bashkinë Tropojë u festua 75-vjetori i çlirimit të Tropojës.
Në këtë aktivitet përkujtimor mori pjesë Prefekti i Qarkut Kukës z.Zenel Kuçana, Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës z.Abdulla Domi.Kryetari i Bashkisë Tropojë z.Rexh Byberi, drejtues të degëve territoriale në Bashkinë Tropojë, Organizata e LANÇ, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, qytetarë të Qytetit B.Curri etj.
Prefekti i Qarkut z. Zenel Kuçana në fjalën përshëndetëse për të pranishmit ndër të tjera theksoi: në këtë përvjetor respekt dhe përulje me krenari përpara heroizmit, luftës, përpjekjeve, sakrificave të dëshmorëve e heronjëve që derdhën gjakun jo vetëm për çlirimin e rrethit të Tropojës, por për të gjithë luftëtarët e lirisë që kontribuan në LANÇ për çlirimin e Shqipërisë, si dhe për ata që e ndoqën armikun përtej kufijve tanë politik, dhe ranë deshmorë deri me 9 maj 1945, ku u arrit fitorja e madhe mbi nazi-fashizmin.

Në të gjitha etapat e historisë, Tropoja ka patur luftëtarët e saj, ka patur trimat dhe heronjtë e saj që nga Mic Sokoli hero i popullit, deri te Tahir Sinani gjenerali i tre luftrave. Në prag të çlirimit të Tropojës në krahinë ushtronin aktivitetin e vet të organizuar tre batalione me rreth 700 partizanë në rradhët e tyre.
Kjo tregon se kur është puna për çlirimin e vendit nuk kursehet asgjë, as jeta e heronjëve dhe e dëshmorëve në moshë fare të re.
Populli i trevave tona përballoj me sukses operacionet armike dhe mjetet e luftës nga më çnjerzoret , kujtojmë këtu 13 plumbat në djepin e foshnjës 10 muajshe në krahinën e Bytyçit që u kthye në një Borovë të dytë. Historia ka argumentuar me dokumente autentike heroizmin e burrave dhe grave e bijve dhe bijave më të mire të malësisë, për ti dalë zot vendit dhe atdheut…

Kanë kaluar 75-vite nga ajo kohë dhe ju veteran dhe pasardhës të tyre i kujtoni dhe i nderoni këto data historike sepse ndiheni krenar dhe të vlerësuar që para-ardhësit tuaj u rreshtuan në ballë të rezistencës antifashiste për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Qytetet në qarkun e Kukësit kanë qenë pjesë aktive në LANÇ duke u kthyer kështu në baza të fuqishme për luftën dhe çlirimin jo vetëm të qyteteve tona por edhe të qyteteve të tjera brenda e jashtë kufijve egzistues.
Lufta naçional-çlirimtare e popullit Shqiptarë për çlirimin e atdheut duhet të vlerësohet nga të gjithë, ajo nuk mund të mohohet e as mundë të errësohet.
Gjaku dhe vepra e dëshmoreve dhe e luftëtarëve të lirisë do të respektohen për herë në kujtesën e brezave që do të vijnë….
Në fund për të pranishmit u dha një program artistik.