Sot me dt 6.3.2020, në ditën e Epopes së UÇK, Bashkia Tropojë priti në një ceremoni përkujtimore, në pallatin e sportit “Valbona”, familjen e Adem Jasharit, ku përfaqësohej nga djali i komandantit Legjendar z. Lulëzim Jashari, duke i akorduar edhe titullin “Nderi i Tropojës”. Në këtë ditë festive merrte pjesë edhe ish-Presidenti i Kosovës z. Fatmir Sejdiu dhe ish ambasadori i Shqiperisë në Kosovë z. Islam Lauka.
Në çdo përvjetor, Jasharët që mbijetuan, Jasharët e ripërtërirë, në fytyrat e tyre, nuk kanë ngrysje, lot e zhgënjim; në çdo fytyrë të Jasharëve sheh dashuri, bujari krenari.
Edhe në Tropojë, edhe në Kosovën e re, Jasharët dëshmojnë dhe rrezatojnë veçantinë e tyre familjare të trashëguar, që është për tu lakmuar nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Adem Jashari mbetet simboli i rezistencës , qendresës dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës . Në këte perkujtimore, Prefekti i Qarkut Kukës falenderoj Këshillin Bashkiak dhe Kryetarin e Bashkisë z. Rexhë Byberi për nderimin e familjes Jashari dhe evidentoj ndihmën e dhënë nga banorët e Qarkut të Kukësit në luftën për çlirimin e Kosovës.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i Tropojës nderoi me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” edhe dëshmoren e atdheut, vajzën e Tropojës, nëntetaren Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën në një mision ushtarak në Letoni.
Prefekti i Qarkut i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tropojës, që në ardhmen, një rrugë e këtij rrethi të mbanë emrin e Dëshmores Zarife Hasanaj.