Deklaratë për mediat
Kukes 18.04.2018
Prefektura e Qarkut Kukes i është bashkuar sot nismës një javore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pastrimin e territorit me moton “Të pastrojmë tokën që duam”. Paraditen e sotme, përfaqësuesit e Prefekturës; Bashkive Kukës, Tropojë dhe Has; përfaqësues të institucioneve shtetërore; si dhe me mbështetjen e veçantë të konsulentit Eptisa që zbaton Projektit: Asistencë Teknike për Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta për dy bashki të përzgjedhura të Shqipërisë dhe të Financuar nga Bashkimi Europian, morën pjesë në ceremoninë e organizuar pranë zonës Bregu mbi Bozhe (pranë vendepozitimit te mbetjeve inerte dhe varrezave të qytetit).
Problematika e ndotjes së burimeve ujore dhe tokës nga mbetjet e ngurta është një nga çështjet më të rëndësishme që kërkon reagim nga institucionet dhe banorët e qarkut të Kukësit. Për këtë arsye fokusi i kësaj fushate pastrimi do të jetë pastrimi i lumenjve, liqeneve si dhe i “hot spoteve” më problematike.
Ne fjalen e tij Prefekti i Qarkut Kukës Z. Zenel Kucana, shpjegoi këtë fushate pastrimi dhe ndërgjegjësimi, vlerëson nismën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, bashkëpunimin me Bashkitë e Qarkut dhe pjesëmarrjen aktive të institucioneve, si: Detashmenti i Mbeështetjes Rajonale Kukes (Forcat e Armatosura), Drejtoria Arsimore, Drejtoria e Shendetit Paresor, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Drejtoria e Pyjeve, OSHE, Drejtoria e Transportit, Zyra e Punes, etj., shoqatave dhe aktivisteve mjedisore, nxënës dhe vullnetarë te qytetit te Kukesit, si dhe konsulentin Eptisa.
Gjatë fjalës së tij Prefekti i Qarkut Kukës i bëri thirrje popullsisë së zonës dhe bizneseve që të bëhen pjesë aktive e këtij aksioni pasi vetëm së bashku mund t’ia dalim që të krijojmë Kukësin që duam.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Kukësit, Z. Bujar Mucmata, shprehu mbështetjen e Bashkisë Kukës për aksionin e sotëm dhe rolin e Bashkisë në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve të pastrimit edhe në zonat rurale, përmirësimin e vendepozitimeve ekzistuese dhe parandalimin e hotspoteve nga mbetjet. Gjithashtu Z. Mucmata theksoi edhe njëherë bashkërendimin e institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë dhe një vëmendje më e madhe nga ky problem për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për ndotjen e liqenit të Fierzës.
Në Qarkun e Kukësit janë evidentuar 65 pika të ndotura (Kukësi 30, Tropoja 22 dhe Hasi 13), me një sipërfaqe prej 10.000 m2 dhe volum 1200 m3 mbetje urbane dhe inerte.
Çështjet më emergjente të identifikuara me ndihmën e ekspertëve të Eptisa janë:
- Ndotja e liqenit të Fierzës si dhe brigjeve të tij nga lumenjtë Drini i Bardhë, Drini i Zi si dhe Luma;
- Ndotja e zonave pranë lumenjve dhe përrenjve nga vend-hedhjet informale në disa zona malore dhe rurale;
- Ndotja e zonave urbane dhe periferike nga hedhjet pa kriter të mbetjeve, si dhe zonave me potencial të lartë turistik si Shishtaveci dhe Valbona.
Pikat kryesore ku do të fokusohet aksioni i kësaj jave janë Lugina e Lumit Drin dhe Lugji i keq (ish reparti Ushtarak); Lagje e re, Kukës; Përbreg dhe Kodra Lumë, në grykëderdhja e lumit Luma; Pikat e tjera te vend-hedhjeve informate në qarkun Kukës.
Java e Tokës është një aktivitet i cili fillon më 16 Prill dhe kulmon më datë 22 Prill, Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ditë kur prej vitit 1970, shtete në mbarë botën përfshihen në aktivitete të ndryshme në dobi të mjedisit.
Shqipëria këtë vit nëpërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit organizon Javën e Tokës me një aksion të detajuar dhe mirëorganizuar në mbarë vendin të fokusuar në bregdet dhe shtretërit e lumenjve, si zona ku janë depozituar ndër vite mbetje urbane, por edhe si zona kyçe të sezonit turistik.