Me dt. 01/3/2020 në Njësinë Administrative Shishtavec, u zhvillua Kampionati Lokal i Skive. Garave të skiatorëve u parapriu grupi artistik i Shishtavecit, ku manifestuan me mjeshtri vallet e krahinës, veshur me kostumet kombëtare të krahinës, që në një ditë të bukur me diell i dhanë hijeshi e bukuri këtij eventi të rëndësishëm sportiv.
Në qendër të Shishtavecit përshëndetën këtë aktivitet nën moderimin e shkëlqyer të gazetarit Ermal Hallaçi, Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Abdulla Domi, Prefekti i Qarkut z. Zenel Kuçana, Sekretari i Bashkisë z. Agron Hoxha dhe Drejtori i Agjensisë së Zonave të Mbrojtura z. Besnik Hallaçi. Kishin ardhur për të ndjekur këtë aktivitet, deputeti i Pogradecit z. Vasil Sterjovski, drejtues të degëve territoriale dhe të institucioneve të tjera shtetërore në nivel lokal.
Më pas u zhvilluan garat e skijimit sipas grup moshave për vajza dhe djem, nën drejtimin e gjyqtarëve të ngritur për këtë qëllim.
Në fund të garave u shpërndanë për fituesit diploma dhe stimuj material. Pas kësaj Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Abdulla Domi shpërndau disa “Çertifikata Mirënjohje “ për veteranët e skive të kësaj treve ndër vite.