Fjala e Prefektit te Qarkut Kukes z Liman Morina ne takimin me Komisionin e Planifikimit e Përballimit të Emergjencave Civile e Krizave.

Te nderur pjesmares.

 

Dihet tashme se qarku i jonë është i vendosur në pjesën Verilindore të vëndit me një terren të  thyer e tepër malor  e i banuar nga lartësitë  350 deri në 1500 m mbi nivelin e detit.

Temperaturat minimale për periudhën dimërore variojne nga -5 Gradë Celsius deri në – 20 Gradë Celisius.Gjatë periudhës dimërore lartësia e borës shkon deri në 2.5 m.

Jo më kot rikujtuam këto veçori të rajonit tonë, ku për pasojë parashikohen situata emergjente që lidhen drejtëpërsëdrejti me kushtet klimaterike .

Në këtë periudhë mund të kemi:

Gjatë periudhës dimërore bllokime të akseve rrugore nacionale e bashkiake, shkak e të cilëvë krijohen probleme për komunitetin në furnizimin me materiale ushqimore, gjendjen shëndetësore deri në veprimtaritë social –ekonomike.

Me qëllim përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen   nga Institucioni i Prefektit e strukturat e tjera shtetërore,  janë kryer e po kryen një sërë veprimtarish për përballimin me sukses të  emergjencave civile dimërore e konkretisht:

Është ringritur  Komisioni i Planifikimit e Përballimit të Emergjencave Civile në shkallë Qarku, ku janë përcaktuar detyrat përkatëse për çdo anëtarë.

Në shkallë bashkie  janë ngritur e funksionojnë Komisionet e Planifikimit e Përballimit të Emergjencës Civile të cilët drejtohen nga Kryetari i Bashkisë, strukturë e cila do të monitorojë, organizojë të gjitha aktivitetet apo operacionet në funksion të përballimit me sukses  të emergjencave dimërore.

Janë  përpunuar urdhërat për ngritjen e Infrastrukturës së domosdoshme.

Është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm e  dërguar gjithë strukturës shtetërore  sipas detyrimeve ligjore në marrjen e masave, për përballimin e emergjencës sezonale të pasqyruara në Planin e Veprimit.

Në bashkëpunim me të gjithë aktorët që do të marrin pjesë në përballimin e Emergjencave Dimërore po përpunohet Plani i Emergjencave në Shkallë Qarku.

Është  në përfundim  Plani i Gadishmërisë, ku pasqyrohen kapacitetet, problematika e marrja e masave për situatat që mund të ndodhin.

Që të përballohet me sukses emergjenca civile dimërore objekti kryesor është mbajtja e rrugëve që përshkojnë territorin e Qarkut të qarkullueshme.

Qarku jonë përshkrohet nga 345.5 km rrugë nacionale.

Sipas raportimeve që kemi gjendja e akseve rrugore është në nivelin e gjendjes mirë dhe shumë mirë të tyre.

Rruga e Kombit është dhënë tashmë me Konçesion Kompanive “Kastrati”e “Salillari” që nga data 09.09.2017.

Të gjitha rrugët e tjera në Qarkun Kukës janë të dhëna  firmave sipërmarrëse.

Nga grupi i Punës së Prefektit në zbatim të akteve ligjore,do të inspektohen të gjitha firmat kontraktore që veprojnë në shkallë Qarku për kapacitet e gjendjen aktuale, në marrjen e masave përkatëse në perballimin e emergjencave dimërore

Akset e tjera rrugore të cilat lidhin lagjet ,fshatrat e deri ndërmjet komunave

tashmë janë në administrim  të bashkive  në shkallë Qarku.

Objekte me risk të lartë në territorin e Qarkut  janë rezervuarët.

Qarku jonë ka 38 rezervuarë nga ku 24 në Bashkinë e Hasit, 8 në rrethin e Tropojës e 6 në Bashkinë e Kukësit.

Lartësia e digave varion nga 16 deri në 36 m.

Gjatë inspektimit të këtyre objekteve janë konstatuar një serë problemesh

kryesisht në ujëlëshuesit, shkarkuesit, filtrime në skarpatet e jashtme të rezervuareve deri në uljen e nivelit të digave.

Me problem  janë rezervuarët T’PLA, Njësia Administrative Fierzë të Bashkisë Tropojë, Golaj 1, të Bashkisë  Has e F.Dugagjin të Bashkisë Kukës.

Nga Bordi i Kullimit janë marrë e po merren  masat e nevojshme organizative për përballimin e Emergjencave Civile Dimërore.

Nga përvoja e viteve të kaluara si rezultat i reshjeve të shumta të shiut  në periudhën  vjeshtë–dimër në Qarkun tone, lumejtë mund te krijojnë probleme për akset rrugore kryesisht në argjinatura siç është  lumi i Valbonës ku janë  prishur disa argjinatura të rrugës Bajram Curri–Valbonë dhe Cërrnicë-Bujan-Fierzë për këtë kërkohet  monitorimi dhe menaxhimi në rastet e reshjeve të shumta që të mos ketë probleme të tilla.

Megjithëse për çdo strukturë janë përcaktuar  të gjithëve detyrimet ligjore ju vë edhe një herë në vemendjen Tuaj:

Ringritja e mbajtja aktive e Komisioneve të Planifikimit e Përballimit të Emergjencave Civile.

Zbatimi i planeve dhe programeve të punës të hartuara, për situatat dimërore

Marrja e masave për ndërgjegjësimin e publikut ndaj rreziqeve dhe përgatitja për monitorimin e situatës, për mënyrën e proçedurave të njoftimit, të alarmit e evakuimit të popullatës, mjetet për komunikim gjatë emergjencave, zonat e mbrojtjes dhe vendstrehimet e sigurta në rast nevoje.

Të mbahen nën kontroll dhe në monitorim niveli ujrave, brenda kapaciteteve të sigurisë së digave, duke kërkuar derdhjen e tyre në rast tejmbushje.

Bashkëpunim me Autoritetin Rrugor për ndjekjen me prioritet të kontratave të nënshkruarar, për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

Inspektim të infrastrukturës më problematike duke marrë masa shtesë.

Kontroll e verifikim lidhur me gadishmërinë e forcave e mjeteve   si të sektorit shtetëror ashtu dhe atij  privat me qëllim përdorimin e tyre në situata emergjente.

Të bëhet bilanci i rezervave ushqimore e kontrolli i tyre, për popullatën e atyre të gjësë së gjallë  e marrjen e masave për plotësimin e mangësive.

Sigurimin e vazhdueshëm të furnizimit me materiale me artikuj jetësore dhe burime njerëzore pranë zonave në rrezik.

Marrja e masave për kryerjen e punimeve publike emergjente për të siguruar parapërgatitje dhe mbrojtje ndaj rreziqeve të sezonit.

Strukturat e specializuara tashmë krahas detyrimeve ligjore si Drejtoria e Policisë, Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale, Policia e Kufirit e Migracionit e Policia e PMNZSH-së  të jenë të përgatitura për ndërhyrje operacionale në shpëtim e kërkim e të organizojnë bashkëveprimin me të gjithë aktorët.

Bashkëpunim me Policinë e Qarkullimit Rrugor për zbatimin e rregullave të qarkullimit në rastet e bllokimit të rrugëve nga reshjet apo ngricat.

Krahas krijimit të rezervave në medikamente farmaceutike   në të gjithë rajonin e Qarkut kërkohet përforcimi i urgjencës spitalore deri ne krijimin e shtretërve rezervë  në ambjentet spitalore, të përpunohet sistemi i lajmërimit për ndërhyrje në raste emergjencash shëndetesore të specializuar si në rrugë tokësore ashtu edhe ajrore.

Institucionet e shërbimit publik të angazhohen, për  furnizimin normal me energji elektrike e me ujë të pijshëm  në situatat emergjente.

Bashkëpunim  me njësitë e qeverisjes vendore dhe strukturat përgjegjëse arsimore, për sigurimin e mbarëvajtjen e proçesit mësimor, ngrohjen e ambjenteve shkollore dhe transportin e mësuesve e nxënësve,dhe nga Bashkitë kërkohet vlerësim maksimal i situatave duke e shoqëruar me angazhim forcash e mjetesh.

Evidentimi e verifikimi i familjeve më në nevojë e informimi i Komisionit të Qarkut.

Vlerësim i resurseve, kapaciteteve, për ti vënë në funksion të situatave.

Inspektim i zonave që janë me premisa rrëshqitje e përpunimi i planeve të evakuimit të popullatës.

Nënprefektët të mbajnë gjatë të gjithë kohës nën monitorim situatat që mund të krijohen në rrethin përkatës dukë bashkërenduar me gjitha strukturat  shtetërore.

Të mbahet korrospondencë e vazhdueshme me Komisionin e Emergjencave në shkallë qarku, për dhënie e pasqyrim situatash e mënyrën  e zgjidhjes nga ana juaj të problematikës.

Të caktohet nga gjithë sejcili prej jush, një punonjës i cili do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Sektorin e Emergjencave e Krizave të Institucionit i cili jep informacione gjatë gjithë kohës Kryetarit të Komisionit të  Emergjencave Civile e Qendrës Operacionale.

Edhe njëherë ju uroj suksese në realizimin e detyrave tuaja ligjore.

                                                                                                                                                   

                                         P R E F E K T I             

                                         Liman MORINA