75-vjetori i krijimit të Brigadës 24- sulmuese partizane

Më datë 4.10.2019 u mbajt në Bicaj, ceremonia përkujtimore të 75-vjetorit të krijimit të Brigadës 24-Sulmuese Partizane.
Kjo datë do të kujtohet brez pas brezi si dita e krijimit të formacionit më të madh luftarak të krahinës së Lumës një ngjarje e shënuar, jo vetëm për popullin e Kukësit, por edhe për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit tonë. Kukësianët janë shquar në historinë shumë shekullore të popullit shqiptar, për ideale të larta patriotike dhe dashurinë e madhe për atdheun ku kanë dhënë jetën me dhjetra luftëtar e patriot.

Nga gjiri i Kukësianëve kanë dalë luftëtarë trima që e sakrifikuan edhe jetën, që nga Ramadan Zaskoci, Hasan Kërxhaliu hero i popullit, deri tek dëshmori i fundit i luftës së Kosovës, Halit Coka, duke kontribuar për këto ditë lirie që jetojmë e gëzojmë ne sot.
Përulemi me mirënjohje e nderim përpara veprës së dëshmorëve e luftëtarëve të lirisë të Brigadës 24-sulmuese partizane:
Abaz Peposhi, Dan Shahu, Elmaz Ademi, Gani Duraku, Hakik Gjici, Idriz Gafurri, Maksut Rexhepi, Nuredin Braha, Osman Qenami, Ramadan Kotarja, Sabri Gjici, Sadik Palushi, Xheladin Mici, Vehbi Shehu, Sherif Smana, Imer Mata, Isuf Seferi, Islam Xhahu, Emri Halilaj, Hasan Lika Gani Onuzi, Hysen Koka, Halil Hasa, Ibrahim Lleshi, Mahmut Neçi, Musli Halilaj, Ramadan Kaculi Rustem Shehu.

Mirënjohje e nderim për drejtuesit e kësaj Brigade, komandantin Ndreko Rino, hero i popullit dhe komisarin birin e Bicajve dhe Kukësit Abedin Shehu.
E vërteta e luftës Nacional-Çlirimtare e popullit shqipëtar as mund të mohohet, as mund të errësohet. Asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e ushtrisë nacional-çlirimtare, ishte kjo luftë e partizanëve shqipëtarë që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe në krahun e aleancës më progresiste të kohës.