Vendosja e shtatores së Ali Iber Nezës në qytetin Bajram Curri

Përshëndetje e qytetarëve të Tropojës me rastin e vendosjes së shtatores së Ali Iber Nezës në qytetin Bajram Curri
Të nderuar qytetarë të Tropojës !
I nderuar kryetar i bashkisë së Tropojës z. Rexhë Byberi !
I nderuar kryetar i keshillit të qarkut z. Abdulla Domi !
I nderuar këshilltar i Presidentit të Republikës z. Flamur Gashi !
I nderuar Ambasador i Republikës së Kosovës në Republiken e Shqipërisë z. Nait Hasani !
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore në nivel lokal !
Të nderuar pjestar të familjes së madhe Neza z. Sylejman Neza, z. Avdi Neza, z. Granit Neza !
Të nderuar mysafire nga Bujanovci, Plavë e Gucia, Mali I Zi, Kosova , përfaqësues të familjeve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Asim Vokshit !
Të dashur motra dhe vllezër Tropojanë !
Në emër të detyrës Prefektit të Qarkut Kukës, të Ministres së Kulturës zj. Elva Margariti, falenderoj Kryetarin e Bashkisë Tropojë , z. Rexhë Byberi, Këshillin Bashkiak Tropojë si dhe z. Granit Nezaj, që bënë të mundur nga ana juridike e financiare vendosjen e kësaj shtatorje në qyteti B. Curri.
Ali Iber Neza u gjend aty ku e kërkoi historia, në ngjarjet më të ndritura të kombit shqiptar, pas periudhës së Skënderbeut.
U lind në kullën e tij në Shipshan të Malësisë së Gjakovës për tu shndërruar në vigan të shqiptarizmës.
Krejt natyrshëm u edukua me vlerat më të mira shqiptare, ku për burrat e Malësisë së Gjakovës nuk mund të kishte nder më të madh se sa të bien në mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ky ishte si amanet edhe nga i ati i tij, Ibra që e ka varrin te Kershi i Bujkut, ku sot ndahen trojet shqiptare në tre shtete, Shqipëri, Kosovë dhe Mal te Zi.
Ali Ibër Nezaj ishte ai djali i Malësisë së Gjakovës që u shquan ndër të tjerët jo thjesht për guximin, trimërinë, vlera këto të trashëguara brez pas brezi ndër shqiptarë, si strateg i pazëvendësueshëm, në fushën diplomatike, politike, ushtarake, fetare, kulturore e humanitare
Ishin momentet më të vështira për kombin shqiptar, kur nga trualli mëmë po shkëputeshin pjesë për të kënaqur sllavët e jugut , “klyshtë e Rusisë” siç do thoshte Fishta.
Nga Novi Pazari në Shkup e në Shkodër, në Plavë e Guci, Ali Ibra mbetet atdhetari i referencave të shumta të kancelarive perëndimore.
Ali Ibër Nezaj, në idealet dhe qëndrimet e tij, kishte veprimtari të gjërë diplomatike, politike, ushtarake, e cila pasqyrohet në dokumente diplomatike të kancelarive të Perëndimit e Lindjes. Konsujt e huaj në Prizren, Shkodër e Shkup, përgjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878- 1881) shkruajnë për Ali Ibren, në relacionet e tyre diplomatike për vendet e veta, si konsulli i Anglisë në Prizren, Sen Xhon (1879, 1880); konsulli i Mbretëreshës së Anglisë në Shkodër, Kirbi Grin (1878); konsujt austriakë si Jelenik (1878) e Shmuker (1881) në Prizren edhe Lipih (1878) në Shkodër; konsujt francezë, rusë, etj. zyrtarë të lartë turqë si Seid, Kryeministri i Turqisë (1881), Ali Riza (kryesekretari i Pallatit të Sulltanit (1881), Marshall Muhtar Pasha (1880), Dervish Pasha (1881) e të tjerë.
Çdo historian do ta gjente me tepër interes çdo lloj detaji të ketyre raportimeve që janë vërtet të shumta
Mbase jo shumëkush e dinte që kulla e tij në Shipshan të Malësisë së Gjakovës priti dhe përcolli kolosët e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit nga Sulejman Vokshi tek Ymer Prizereni etj duke u kthyer kështu në selinë e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kaq i rëndësishëm ishte roli i Ali Ibër Nezës saqë konsulli anglez i propozon sulltanit dekorimin e tij. Por cila dekoratë, cili urdhër apo medalje do të plotpërmbushte veprimtarinë e Ali Ibër Nezës, simbolit të shqiptarizmës?
Padyshim mbetet legjendar ku shpërblimi i vetëm mbetet historia.
Ali Ibër Neza ishte ai patriot që me veprën e tij shkroi faqen më të ndritshme të historisë së kombit tonë, dhe kurrsesi nuk mund ishte i munguar në asnje kohë, në asnjë cast, pasi u përjetësua jo vetëm me emra shkollash apo institucionesh, por edhe me këngët e bukura folklorike të kësaj treve.
“Ali Ibra në vraç të zi
po i shkon gjaku deri në zingji”
Ai nuk ishte i munguar as në Gjakovë, ku madhërohet shtatorja e tij dhe sot ja ku jemi në këtë aktivitet ku shtatorja e Ali Ibër Nezës është në vendin që i takon, si amanet i përcjellë ndër breza e që nuk do të shuhet kurrë.
Vetëm në luftën e fundit në Kosovë janë MBI 20 dëshmorë të Tropojës, që nuk bënë asgjë tjetër veçse ndoqën rrugën e tij dhe të mijëra të tjerëve, si amanet ky që është përcjellur dhe do te përcillet brez pas brezi.
Kjo shtatore e punuar mrekullisht nga mjeshtri Isa Baliaj (mjeshtër i madh) transmeton ato emocione që s’mund të thuhen kurrë në nje fjalim të rastit, ato emocione, që mbase nuk mund të përjetohen në melodinë apo vargjet e një kënge.
Çdokush që do të shikojë këtë përmendore, do të ndjejë madhështinë e këtij kolosi, që nuk i përket vetëm Tropojës, por gjithë kombit shqiptar, aty ku i thuhet bukës-bukë e ujit-ujë…
Faleminderit !
PREFEKTI I QARKUT KUKËS
ZENEL KUÇANA
B.CURRI DATË 14/11/2020