Takim koordinues i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, në Qarkun e Kukësit

Sot më datë 16.06.2021, Prefekti i Qarkut Kukës z. Zenel Kuçana, nën cilësinë e Kryetarit, zhvilloi nje takim koordinues të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, në Qarkun e Kukësit.
Në takim ishin të pranishëm: Drejtoresha për Çështjet Vendore dhe Prefekturat në Ministrinë e Brendshme znj. Alma Mele, Drejtori i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive për Çështjet Vendore në Ministrinë e Brendshme z. Arben Xhaferi, Kryetari i Bashkisë Kukës z. Safet Gjici, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë z. Alban Çela, N/Drejtori i Kufirit e Migracionit z. Stiljan Pasho, Drejtori i IKMT-së z. Tasim Nërguti, Shef i Qarkullimit Rrugor z. Blerim Berbati.
Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i çështjeve të përbashkëta që kanë të bëjnë me menaxhimin me sukses të sezonit turistik 2021.
Të pranishmit diskutuan për problematikat që kërkojnë zgjidhje, si dhe u vu theksi se bashkëpunimi nuk është çështje dëshire e askujt por një detyrim moral dhe ligjor.
Në fjalën e tij, Prefekti i Qarkut bëri një pasqyrim të masave që janë marrë dhe që duhet të ndërmerren për sezonin turistik, ku kërkoi angazhimin e të gjithë strukturave si ato bashkiake dhe degëve territoriale për një menaxhim më korrekt, konkret dhe më frytëdhënës gjatë sezonit të ri turistik 2021.
Ku ndër të tjera, Prefekti analizoi problematika të ndryshme si: Rendi e siguria ndaj qytetarëve, menaxhimi i mjeteve lëvizëse në pikat e kalimit kufitar Morinë, Qaf-Prush, Qaf-Morinë, Kujdesi Shëndetësor dhe funksionimi i Qendrave Shëndetësore, marrja e masave në mënyrë të veçantë në zonat turistike për mosndërprerjen e energjisë elektrike, kontroll dhe menaxhim i vazhdueshëm i rrugëve në zbatim të kodit të qarkullimit rrugor si dhe mbajtja e mjedisit pastër.
Një rëndësi të veçantë duhet ti kushtojmë kontrollit të territorit në ndërtimet paleje, sidomos në zonat e mbrojtura e qytete. Gjithashtu u kërkua një bashkëpunim e koordinim ndërmjet strukturave të njësive të vetqeverisjes vendore dhe policisë së shtetit për gjetjen e zgjidhjeve të reja.
Në përfundim të takimit nga ana e Prefektit u kërkua garantimi i kushteve, sigurisë, qetësisë dhe standarteve të larta për çdo vizitor dhe turist që viziton e frekuenton zonat turistike të Qarkut Kukësit.