“77-VJETORI I KRIJIMIT TË BRIGADËS 24- SULMUESE PARTIZANE”

Sot me datë 4.10.2021 në Njësinë Administrative Bicaj, Bashkia Kukës, u përkujtua 77-vjetori i krijimit të brigadës 24 sulmuese. Në këtë ceremoni morën pjesë, Prefekti i Qarkut Kukës z. Zenel Kuçana, Kryetari i Bashkisë Kukës z. Safet Gjici, Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Abdulla Domi, n/ kryetarja e Veteraneve të bashkisë Kukës zj. Lume Paci, kryetari i org. familjeve te deshmorëve z. Agim Braha, veteranë dhe pasardhës veteranësh, nxënës të shkollës fillore dhe të Mesme të Përgjithshme etj.

 
Ceremonia filloi me ekzekutimin e Hymnit Kombëtar dhe ngritjen e flamurit, më pas u vendosën kurora me lule pranë lapidarit të “Brigadës 24 Sulmuese”, Rruga e lavdishme e Br. 24- Sulmuese referoj znj. Lume Paci, përshëndetën Prefekti i Qarkut Kukës z. Zenel Kuçana, Kryetari i Bashkisë Kukës z. Safet Gjici, Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Abdulla Domi, Në fund u bënë recitime me vargje Br-24 Sulmuese, për luftën Nacional-Çlirimtare nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vebi Shehu” dhe shkollës së Mesme e Përgjithshme “Bajram Abdiu”.
 
 
FJALA PËRSHËNDETËSE E PREFEKTIT TË QARKUT KUKËS
“77-VJETORI I KRIJIMIT TË BRIGADËS 24- SULMUESE PARTIZANE”
Të nderuar veteran, qytetar të Bicajve dhe të Kukësit!
Të nderuar, pasardhës të familjeve të dëshmorëve dhe të luftëtarëve të lirisë, patriotë, që jeni mbledhur sot në Bicaj në ceremoninë përkujtimore të 77-vjetorit të krijimit të Brigadës 24-Sulmuese Partizane.
Kjo datë do të kujtohet brez pas brezi si dita e krijimit të formacionit më të madh luftarak të krahinës së Lumës, një ngjarje e shënuar jo vetëm për popullin e Kukësit, por edhe për Luftën Antifashiste Nac.-Çl. të popullit tonë. Data 04 tetor 1944, është dhe do të mbetet një ngjarje e rëndësishme, sepse i dha një shkëndijë të fortë shpresës dhe besimit, se vendi ynë mund të çlirohej nga pushtuesit e huaj.
Kuksianët janë shquar në historinë shumë shekullore të popullit shqiptar, për ideale të larta patriotike dhe dashurinë e madhe për atdheun, ku kanë dhënë jetën me dhjetëra luftëtar e patriot.
Nga gjiri i Kuksianeve kanë dale prijës e luftëtarë trima që disa prej tyre e sakrifikuan edhe jetën , qe nga Ramadan Zaskoci , Islam Spahia, Mustaf Lita, Ramadan Çejku , Hasan Kërxhaliu hero i popullit , deri tek dëshmori i fundit i luftës së Kosovës Halit Coka, duke kontribuar për këto ditë lirie , që jetojmë e gëzojmë ne sot.
Në emër të detyrës së Prefektit të Qarkut Kukës dhe të Këshillit të Ministrave ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë manifestim të 77-vjetorit të krijimit të Br.24 sulmuese Partizane, përgëzoj familjaret e partizaneve, familjet e dëshmorëve dhe ju them atyre, jeni krenarë me paraardhësit tuaj, ata do të nderohen e respektohen brez pas brezi për veprën e tyre. Përkujtimi i datave të rëndësishme, është një amanet, një kujtesë në rrugën e historisë, për brezat e sotëm e te ardhshëm, për të ruajtur e kujtuar si gjënë më të shtrenjtë, sakrificat e gjakun e dëshmorëve e luftëtarëve, që vaditen, farën e lirisë.
Është nder të përkujtojmë protagonistët e luftës antifashiste, që ditën ta rreshtonin Shqipërinë në radhët e frontit antifashist.
Përulemi me mirënjohje e nderim përpara veprës së luftëtarëve e dëshmoreve të lirisë të Brigadës 24-sulmuese partizane:
Abaz Peposhi, Dan Shahu, Elmaz Ademi, Emri Halilaj, Gani Duraku, Hakik Gjici, Hasan Lika ,Islam Xhahu, Idriz Gafurri, Isuf Seferi, Nuredin Braha, Osman Qenami, Sabri Gjici, Sadik Palushi, Shefit Smana. Vehbi Shehu, Xheladin Mici, Ymer Mata, Ramadan Kotarja, Adem Vata, Ahmet Voka, Bajram Domi, Dalip Dogjani, Fetish Beqa, Gani Onuzi, Hysni Gërbolli, Hysni Koka, Halil Hasa, Hasan Kërxhaliu, Hamdi Pelivani, Ibrahim Lleshi, Muhamet Neçi, Musli Halilaj, Qazim Spahiu, Ramadan Kaculi, Rustem Shehu, Sali Bruka, Shaban Murati, Zurap Bajraktari, Veladin Kuço, Xhafer Ollomani, Bajram Kaso, Muharrem Sulqe, Qamil Gjuta, Imer Cengu, Abaz Gjuta.
Mirënjohje e nderim për drejtuesit e kësaj Brigade birin e Labërisë, komandantin Ndreko Rino, hero i popullit dhe birin e Bicajve dhe Kukësit, komisarin Abedin Shehu.
E vërteta e luftës nacional-çlirimtare e popullit shqiptar as mund të mohohet, as mund të errësohet, as mund të tjetërsohet. Asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e ushtrisë nacional-çlirimtare, ishte kjo luftë e partizanëve shqiptarë që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe në krahun e aleancës më progresiste të kohës.
Prefektit i Qarkut Kukës dhe administrata e tij u ka dhënë dhe ju jep gjithnjë e më shumë një rëndësi te veçantë nderimit e përkujtimit të ngjarjeve madhore historike, një nga të cilat është edhe 77- vjetori i krijimit të Brigadës 24- Partizane. Është në detyrën tonë, te institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë në përgjithësi, për të përkujtuar çdo hero e dëshmor të rënë, duke i nderuar ata me solemnitet dhe dinjitet të plotë.
Gjaku dhe vepra e dëshmorëve dhe e luftëtarëve të lirisë do të respektohen përherë në kujtesën e brezave që do të vijnë.
Lavdi luftës antifashiste nacional – çlirimtare !
Lavdi dëshmorëve të Brigadës 24-sulmuese Partizane !
Rroftë populli i Kukësit !
Rroftë populli Shqiptar !